Protestues të shumtë i përgjigjen pozitivisht thirrjes për protestë

Protestues të shumtë serbë kanë mbërritur në një protestë të madhe publike të planifikuar për sot në ora 12:00 në Rudar.
Radhë të gjata njerëzish vazhdojnë të mbërrijnë nga drejtimi i Zveçanit, dhe Zubin Potokut, raporton Kosovaonline.
I ashtuqujturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit.
Kjo protestë vjen në kohën kur në veri janë bërë 13 ditë që kur serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në atë pjesë të vendit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Sipas policisë, deri më tani janë vendosur nëntë barrikada në veri të Kosovës e krahas kësaj, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak mbesin të bllokuara.
Barrikadat janë vendosur që nga 10 dhjetori si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë e Beograd ku ka zhvilluar takime me krerët e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat në veri.
Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se barrikadat e vendosur në veri të vendit duhet të largohet para krishtlindjeve.
/Shqip.com