Protestë para Ambasadës së Serbisë në Çeki, pankarta mbështetëse për Kosovën

Gjatë ditës së djeshme disa aktivist kanë protestuar para Ambasadës së Serbisë në Çeki.
Këtë e ka bërë të ditur ish-ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Meliza-Haradinaj Stublla.
Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se mesazhet e aktivistëve ishin të qarta.
“Sot disa aktivistë çekë protestuan para Ambasadës së Serbisë në Pragë me mesazhe të qarta në mbështetje të Kosovës”, shkroi Haradinaj.
Po ashtu, në këtë postim ajo ka bashkëngjitur edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.
Në këto fotografi shihet një vajzë me disa pankarta në të cilat shkruan “Ballkani nuk ka nevojë për ndihmën tënde Serbi”
“Kosova nuk është Serbi”
“Serbi mbaj duart larg Kosovës dhe Ballkanit”
“Shoqëria me rusët është shoqëri me terroristët”
“Shokët nga Rusia nuk janë të mirëseardhur”.

Po ashtu edhe në njërën prej pankartave kërkohet ndërprerja e të gjitha fondeve të Bashkimit Evropian për Serbinë.
Kujtojmë, se gjatë dy ditëve të fundit në veri të Kosovës ka pasur tensione të vazhdueshme.
Serbët lokal kanë barrikaduar rrugët të cilat të dërgojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe BËrnjak.
Kjo protestë e tyre kishte ardhur si shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.
Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar Qeveria vendosi që të shtyjë vendimin për 30 ditë me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit.
Vlen të theksojmë së nga këto tensione u lënduan 11 qytetarë të Kosovës si dhe u dëmtuan automjete të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës./Shqip.com