Lajme Botë

Protesta masive në Izrael pas vrasjes gabimisht të tre pengjeve

Protesta në Tel Aviv
Protesta në Tel Aviv

Tronditet Izraeli pas vrasjes gabimisht të tre pengjeve nga ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza. Të shtunën u zhvilluan protesta të mëdha në Tel Aviv.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e cilësoi vdekjen e pengjeve si “tragjedi të padurueshme”. Ai deklaroi, se i gjithë shteti i Izraelit “mban zi këtë mbrëmje.” Qeveria amerikane e cilësoi vdekjen e tre pengjeve si “zemërthyese” dhe “tragjike”. Të tre meshkujt që ishin marrë peng nga organizata e Hamasit, u qëlluan nga ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Shedshaja, në veri të Rripit të Gazës. Hamasi kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera,  Ushtria shprehu “hidhërimin më të thellë për këtë rast tragjik”. Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari premtoi një “hetim transparent”.

Sipas të dhënave të tij, ushtarët i kishin identifikuar pengjet “gabimisht si kërcënim”. Pas kësaj ata kishin hapur zjarr. Sipas Hagarit tre pengjet ose i kishin shpëtuar Hamasit, ose ishin lënë të lirë nga pengmarrësit. Tre pengjet kishin mbajtur një shami të bardhë në lartësi. Këtë e nxorri një hetim paraprak i rastit. Të shtënat erdhën në një zonë me luftime intensive, në të cilën luftëtarët e Hamasit operojnë me rroba civile dhe përdorin metoda mashtruese.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari

Më shumë kujdes

Forcat e armatosura të Izraelit u urdhëruan për më shumë kujdes pas vdekjes së tre pengjeve. “Ne u kemi thënë ushtarëve tanë që duhet të kenë kujdes shtesë, kur të konfrontohen me persona në veshje civile”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus për televizionin CNN. Kufomat e tre pengjeve u sollën në Izrael. Ushtria identifikoi 26 vjeçarin Alon Lulu Schamriss, 28 vjeçarin, baterist i Heany Metal, Jotam Haim dhe 25 vjeçarin bedin, Samer El Talalka, nga Kibuzz Nir Am.

Qindra vetë dolën në protesta në Tel Aviv pas bërjes publike të lajmit për vrasjen e tre pengjeve. Masa njerëzish u grumbulluan dhe bllokuan një rrugë kryesore. Ata kërkojnë nga qeveria të angazhohet për lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Portali izraelit ynet shkroi se demonstruesit derdhën para shtabit qendror të ushtrisë bojë të kuqe. Ata kritikojnë, se qeveria nuk po bën sa duhet për lirimin e pengjeve.

Protesta pas vrasjes gabimisht të tre pengjeve

Negociata për ndalim të luftimeve?

Portali i lajmeve, “Axios” raportoi, se drejtori i shërbimit sekret izraelit, Mossa, David Barnea takohet këtë fundjavë me kreun e qeverisë së Katarit, Mohamed ben Abdelrahman Al-Thani në Europë. Pritet të bëhet fjalë për një ndalim të ri të luftimeve dhe lirimin e pengjeve. Nuk janë bërë të dhëna të tjera më konkrete. /DW

/Shqip.com