Lajme

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim kundër serbit për krime lufte

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndaluar një person me inicialet S.T. për veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar edhe me nenet 31 dhe 153 të KPRK.

“Veprimet e të pandehurit S.T. janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë. Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

Në këtë rast, prokuroria njofton se i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen, si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës se luftës.

“Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com