Lajme

Prokuroria për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi: Po punojmë me seriozitetin maksimal

Biznesmeni Bedri Rexhepi, i zhdukur që nga 8 prilli

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë sqarim publik lidhur me tastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, duke siguruar se në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, lidhur me këtë rast është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi” dhe një person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Shantazhi”, “Prezantimi i rremë si person zyrtar “, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

“Deri më tani, përkundër bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, si KFOR-i, FSK-ja, etj, nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e tani të dëmtuarit B.R.”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.

“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi për faktin se deri më tani nuk është ndriçuar në tersi kjo çështje penale, mirëpo ju njoftojmë se prokuroria është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë rast”.

Bedri Rexhepi nga Lipjani u raportua si i zhdukur më 8 prill të këtij viti. Në ditën kur është zhdukur, ai dyshohet se kishte me vete rreth 30 mijë euro para të gatshme. 

I dyshuari kryesor për rrëmbimin e Bedri Rexhepit është J.V., i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 14 prill të këtij viti./SHQIP.com