Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy personave në Gjakovë për posedim të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj dy të pandehurve, F.B., dhe E.L., për shkak se dyshohet që kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, përcjell Shqip.com.
Sipas kërkesë së Prokurorisë, më 21 shtator, në fshatin Pjetërshan, derisa po lëviznin me veturë, dy të pandehurit janë ndaluar nga patrullat e policisë kufitare.
Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë kontrollit, në ulësen e pasagjerit janë gjetur nëntë qese të mbushura me substancë, që dyshohet të jetë Marihuanë.
“Sipas kërkesës, më 21 shtator 2021, në fshatin Pjetershan, Komuna e Gjakovës, përderisa ishin duke lëvizur me veturë, të dyshuarit F.B., dhe E.L., ndalohen nga patrulla e policisë kufitare, rajoni “Perëndimi”, ku gjatë kontrollit, tek ulësja e pasagjerit janë gjetur nëntë qese të mbushura me substancë, ngjyrë të gjelbër që dyshohet të jetë narkotikë i llojit Marihuanë, e të cilën gjithashtu dyshohet se e kishin blerë në Shqipëri tre ditë më përpara se të ndaloheshin nga policia”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori ka kërkuar ndaj dy të pandehurve masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh./Shqip.com