Lajme

Profesori universitar ngrit padi kundër vendimit të MASHTI-it për shpalljen e shkencëtarit të vitit 2022

Blerim Rexha/Facebook

Profesori universitar, Blerim Rexha, ka ngritur padi kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shpalljen e shkencëtarit të vitit 2022.

Këtë, Rexha e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, i cili tha se ka ngriur padi për anulimin e aktit administrativ dhe zëvendësimin e tij me aktgjykim.

Rexha, ka sqaruar se MASHTI, në dhjetorin e vitit 2022 kishte shpallur konkursin për dhënien e çmimit shkencëtari i vitit 2022, ku eksplicit thuhej që: “Këtë vit do të ndahen 3 (tri) çmime për “Shkencëtarin e vitit, Shkencëtarja e vitit 2022 dhe 3 (tre) çmime për “Shkencëtarin e ri të vitit, Shkencëtarja e re e vitit 2022 ”.

Ai tha, se nën këshilli i fushës së TIK-ut (ku bënë pjesë aplikimi i tij), i udhëhequr nga Prof. Dr. Arbnor Pajaziti, e ka rekomanduar atë si kandidat për dhënien e çmimit shkencëtari i vitit 2022.

“Edhe Këshilli Shkencor MASHTI në mbledhjen e datës 2 shkurt 2023, i udhëhequr nga Prof. Dr. Vjollca Komoni, më ka rekomanduar, si të parin në listë nga 3 (tre) shkencëtarë për çmimin shkencëtari i vitit 2022, ashtu siç kërkonte konkursi që të shpalleshin 3 (tre) shkencëtarë për dhënien e çmimit”, vazhdon tutje Rexha.

Mirëpo, ai njofton se pas “një stërzgjatje të procesit, gati 6 muajshe, Ministrja e MASHTI me 9 qershor merr vendim që të zgjedh kandidatin e dytë nga lista e 3 (tre) rekomandimeve, edhe pse konkursi eksplicit thotë se do te ndahen 3 (tri) çmime”.

Ai bëri të ditur se përmes email-ës dhe shkresës së protokolluar i ka kërkuar Ministres së MASHTI-it që ta ri-shqyrtoj vendimin e saj.

Postimi i profesorit Blerim Rexha

Heshtje tani e 10 ditë nga MASHTI, dhe kështu u shteren opsionet e kërkimit të vërtetës dhe mbeti vetëm gjykata, sepse vendimi arbitrar i Ministres së MASHTI “është akt administrativ i kundërligjshëm, për shkak se:

• Është marrë në kundërshtim me të drejtën materiale (Ligjin për Veprimtaritë Shkencore, Programin Kombëtar të Shkencës dhe Konkursin Publik),

• Janë tejkaluar kufijtë e autorizimeve ligjore përmes ushtrimit të pushtetit “diskrecionar”, dhe

• Është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë përcaktuar në nenin 4 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe kërkesave tjera të këtij ligji përkitazi me formën dhe përmbajtjen e aktit administrativ.”

/Shqip.com