Lajme

Procedohen për konsultime Ligji i Pagave dhe ai për zyrtarët publik

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

Sveçla ka sqaruar se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa për projektligjin për zyrtarët publikë, Sveçla ka thënë se ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Kosovës.

“Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe”, ka shkruar ai.

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar në Kuvend, Projektligjin i cili ishte miratuar.

Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë.

Ilustrim.

Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro.

Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ndërsa ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por me 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë.

Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil (në tekstin në vijim: nëpunësi civil), nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës./Shqip.com