Pritet vendimi për Berishën, avokatët i kërkojnë GJKKO-së provat e SPAK-ut

Avokatët e Berishës dorëzojnë kërkesë në gjykatë për marrjen e provave.
Mbrojtësit kanë kërkuar audion e seancës dhe procesverbalet, për të provuar njëanshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka.
Avokatët kërkojnë të gjitha vendimet e arsyetuara, të dhëna nga gjyqtarja Gjoka por edhe vendimet e dhëna nga gjyqtarët e tjerë që kanë rrëzuar kërkesat e avokatëve për përjashtimin e saj nga çështja “Berisha”.
Vendimi i GJKKO-së
GJKKO pritet të japë sot vendimin në lidhje me masën e kërkuar nga SPAK, ‘arrest shtëpie’ me mbikëqyrje policore. Seanca e djeshme u shty për sot për në orën 15:00, ndërsa avokatët e Berishës nuk hoqën dorë dhe dorëzuan sërish një kërkesë ku kërkojnë përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka.
Kujtojmë se avokatet kanë dorëzuar provat që sipas tyre provojnë faktin e shkarkimit në shkurt të 1996 nga KLD ku kryetar ishte Sali Berisha.
Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin, i cili akuzohet korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
/Shqip.com