“Prishtina Parking” gjobitë qytetarin për shkak të një gabimi teknik

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka gjobitur me 21 euro një qytetar, për shkak të një gabimi teknik.
Mëngjesin e së enjtes, qytetari kishte parkuar veturën në Zonën 1 dhe kishte bërë pagesën për 1 orë parkim.
Pagesën ai e kishte bërë përmes një SMS-i, por aty ishte bërë një gabim në përshkrimin e targave.

Ky gabim teknik i kushtoi me gjobë 21 euro.

“Veturën e lash në parking për 1 orë, pra nga ora 07:55 deri në orën 08:55 të mëngjesit. Kur u ktheva për ta marrë, rrotat ishin të bllokuar me hekur. U obligova të paguaj 21 euro dënim”, tregon ai për Shqip.com.
Në vendin e ngjarjes thotë se ishin tre punëtorë të “Prishtina Parking”-ut, të cilët i kishin kërkuar falje për gabimin teknik, por se dënimin duhet paguar.
“Vetëm falje më kërkuan, ndërsa dënimin thanë që duhet ta paguaj. Kjo është shkelje ndaj klientëve. Sot më dënuan mua gabimisht, nesër e dënojnë dikë”, u shpreh ai.

Lidhur me rastin, Shqip.com ka kontaktuar edhe me ndërmarrjen “Prishtina Parking”, por të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen./SHQIP.com