Prindërit e ish-presidentit Thaçi mbërrijnë në Hagë

Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit sot kanë mbërritur në Hagë.
Haxhi dhe Hyra Thaçi, po udhëtojnë për herë të parë në Hagë për të takuar djalin e tyre pas gati dy vitesh.
Hashim Thaçi mbahet në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ai dhe eprorët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke u mbajtur në paraburgim nën akuzat për krime lufte.
Gjatë kohës kur Thaqi gjendët në paraburgim, atë e kanë vizituar figura të ndryshme të politikës në Kosovë.
Para një jave anëtarët e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione kanë realizuar vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Përmes një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës, bëhet e ditur se deputetët kanë takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Deputetët: Duda Balje, Tinka Kurti, Eliza Hoxha dhe Alban Bajrami, u takuan me të paraburgosurit: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hysni Gucati, Pjetër Shala dhe Nasim Haradinaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, më shumë se dy javë janë bërë kur kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Konjufca tha se të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po qëndrojnë në Hagë janë mirë me shëndet, të fortë, me vullnet dhe të qëndrueshëm.
Lexo edhe:
Konjufca, nga Haga: Gjykata Speciale s’u bë nga qejfi por nga zori, ka shumë defekte
Në Hagë, Konjufca ka takuar të gjithë, përpos ish-komandantin, Salih Mustafa, për shkak se procedura gjyqësore në të cilën ai ndodhet aktualisht, është në një fazë specifike./Shqip.com