Lajme

Presidentja Osmani zhvillon një takim në Finlandë: Nuk duhet të ketë lëshime për Rusinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Finlandë, theksoi rëndësinë që çdo marrëveshje e ardhshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë të mos e inkurajojë Moskën që të “ndjekë më tej ambiciet e saj imperialiste dhe territoriale ndaj vendeve të tjera”.

“Dhe, nuk po flas vetëm për këtë pjesë të Evropës, po flas edhe për Ballkanin Perëndimor, sepse ka pasur gjithmonë një qëllim tradicional dhe historik të Rusisë për të krijuar një efekt zinxhir”, tha Osmani të mërkurën, gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, në Helsinki.

Osmani deklaroi se nëse i bëhen lëshime Rusisë, vetëm sepse është më e madhe dhe ka më shumë armë,  do të jetë   e rrezikshme për pjesën tjetër të botës dhe jo vetëm për kontinentin evropian.

Gjatë takimit me presidentin finlandez, ata diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe mes Finlandës dhe Kosovës, për luftën në Ukrainë, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë evropiane. Presidenti i Finlandës tha gjatë konferencës për media se pasojë e papritur e luftës agresore të Rusisë në Ukrainë është se Evropa është më e bashkuar se kurrë, dhe se integrimi evropian është rikthyer në agjendë.

“Po jemi dëshmitarë të lindjes së një Perde të Re të Hekurt mes Evropës dhe Rusisë, dhe vendi i Kosovës është shumë i qartë. Është në zemër të Evropës, dhe, natyrisht, shpresojmë që Kosova do të bëjë çdo përpjekje për ta shfrytëzuar këtë mundësi drejt një integrimi më të thelluar në zemrën e Evropës dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian”, tha ai.

/Shqip.com