Lajme

Presidentja Osmani akuzohet për “falimentim të diplomacisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, thotë se diplomacia e Kosovës “ka falimentuar”, njofton Shqip.com.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku tha se për këtë “falimentim të diplomacisë”, fajtor është presidentja e vendit, Vjosa Osmani bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Sipas tij, Kosovën mund ta afirojmë kudo në botë vetëm aktorët, sportistët e këngëtarët të cilët e bëjnë në baza vullnetare.

“Pasi kanë dështuar dhe e kanë falimentuar diplomacinë kosovare, përgjegjëset e politikës së jashtme të Kosovës, Osmani dhe Gërvalla, janë të mirëseardhur aktorët, sportistët, këngëtarët dhe të tjerët, që në baza vullnetare ta afirmojnë kudo në botë Kosovën”, ka shkruar Dedaj.

Dedaj ushtroi postin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut deri në muajin maj të këtij viti, kur edhe u shkarkua me dekret të presidentes Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me bashkëshortin e saj

Përkohësisht, pozitën e tij është duke e plotësuar Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Osmani, i cili shërbente si zëvendësshef i misionit në Shkup. /Shqip.com