Presidenti shqiptar mbledh Këshillin e Sigurisë, pas sulmeve kibernetike

Kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj ka ftuar për ditën e sotme, mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që si synim ka analizimin e gjendjes aktuale të sigurisë kibernatike, kërcënimeve e sfidave me të cilat përballet Shqipëria.
Institucionet përgjegjëse do të informojnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat që kanë marrë në funksion të forcimit të mbrojtjes kibernetike, në zbatim këto edhe me rekomandimet që u janë dhënë në mbledhjet e muajit tetor 2022 dhe janar 2023.
Në mbledhjen e kësaj të martë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kreu i Komisionit të Sigurisë Nasipo Naço, shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH Arben Kingji, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kreu i SHISH Vlora Hyseni, drejtori i Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
Më 15 korrik 2022, Shqipëria përballoi sulmin më të ashpër kibernetik, i cili goditi shumë prej sistemeve qeveritare, të hostuara pranë AKSHI-t, me qëllim fshirjen e tyre të plotë, por pa ia arritur qëllimit.
Sulmi u konsiderua vepër e hakerëve iranian kundër qeverisë shqiptare, me motive të pastra politike. Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Shkak për këtë u bënë “provat e pakundërshtueshme” për sulme kibernetike.
/Shqip.com