Prend Buzhala / MOTI I RÂNDË

(Parafrazë lirike gege)
Mote të rânda kanë ardhë
mote të liga, të mbrapshta, motpërmbysje,
atdhepërmbysje e atdhe përdhosje,
mote që s’e lânë bashkë vllaun me vlla,
motet e të tanve kundër të gjithëve.
Popullit duerthatë çka s’i bâjnë.
S’ke qysh me e harrue tmerrin,
kur e ke kapërcye Motin e Lig
e Burgun me hekura n’Kâmbë.
Vorret ligjërojnë kotësinë e djeshme:
asht nji kohë që asgjâ s’vlen as thotë –
njerëzit e saj, vllazën me t’pakuptimten.
E ti: krejt i vetëm, askush s’të merr vesh.
E, kur e ke ma së vështiri, thue: e kam ma së miri.
Ani, çdo gjâ e ka vendin e vet,
ato ma të rândat
nesër kanë me t’u dukun ma të lehtat,
pse ke besue, gjindesh sot këtu,
pse ke besue, ia ke dalë mbanë.
A ka me ardhë ajo kohë, si dikur motit
kur këndojshim bashkë në oda e gazmende,
kur na bante shoqni nji kavall a nji çifteli?
E tash, qysh me shfaqë atë dëshirë
veç zemra mos me na vuejtë,
veç shpirti mos me na kja?
Kur vjen ajo kohë
kur edhe ti, që jeton larg shpisë
me u kthye në votrën tânde,
me kryet nalt,
me ia thânë Kângës së Moçme.
E kush na mbron tash në dashninë tonë?
Dashnia e Hyjit na shndërron në kryqëzim
si ia bani Birit të tij,
e, veç jetës që na fal të rame si me çekiç,
qenka shkrue: veç kur e paske trishtimin e madh
të vjen ajo koha që ti e don me lumni.
(12 qershor 2023)
***
Prend Buzhala (1951) është një nga emrat me të njohur të letrave shqipe.
Buzhala shkruan poezi, prozë, kritikë, studime letrare e publicistikë.
Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.
/Shqip.com