Kulturë

Prend Buzhala / Lutje për dhuratën e shenjës së mirësisë

Prend Buzhala (1951) është një nga emrat më të njohur të letrave shqipe.
Prend Buzhala (1951) është një nga emrat më të njohur të letrave shqipe.

LUTJE PËR DHURATËN E SHENJËS SË MIRËSISË

(Poezi të përshpirtshme), 12

Jeta i ngjet detit,
një lufte me furtunat, mundimet e përplasjet,
me pabesitë e piratëve të jetës,
me tërbimin e dallgëve të gjallimit,
sprovohesh me dhimbjen për t’i ndihmuar viktimat.

E jeta ka motër pasigurinë, vëlla kërcënimin,
porti i daljes në breg gjendet larg,
porti i daljes nga ai rrethi sardonik,
si rreth qielli
a rreth i zjarrit që mbështjell kokën.

O Zot, e kush nuk ka nevojë për ndihmë,
na shndërro në dëshmitarë tu,
si Shenjtorin tënd të Mirësisë
që e kthen fatkeqësinë në fitore të së mirës,
që padrejtësitë i ndreq
me besimin për Çlirimin e Madh nga frika,
që i zbut shtrëngatat,
i qetëson dallgët e urrejtjes.

O Hyj i Tejetlartë,
na e dhuro shenjën e mirësisë,
ta bëjmë më të dashur jetën
e më të bukur botën!

/Shqip.com