Policia: Zyrtarët policorë të përmbahen nga komentet politike

Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka konfirmuar suspendimin e zyrtarit policor Amir Hoxha i cili kishte bërë komente politike në rrjetin e tij social “Facebook”.
Policia thotë se kanë suspenduar zyrtarin në kohëzgjatje prej 3 ditëve pasi kishte shkelur udhëzimin administrativ i cili kërkon nga zyrtarët që të përmbahen nga komentet politike.
“Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar”
“Policia është strukturë apolitike në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim në orientimet e tyre andaj të gjithë zyrtarët e saj duhet të përmbahen nga komente qofshin ato politike apo të llojeve të tilla të sanksionuara me udhëzimet administrative” thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndryshe zyrtari policor Amir Hoxha ishte suspenduar pasi kishte kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për kompensimet të cilat i kishin marrë për shpenzimet e karburantit. /Shqip.com