Lajme

Policia tregon kronologjikisht veprimet e tyre në lidhje me vrasjen në Llaushë

Ilustrim

Policia e Kosovës me anë të një kumtese, ka sqaruar kronologjikisht veprimet e saj në lidhje me rastin e cilësuar fillimisht si “Dhunë në familje”, i raportuar më datën 01.01.2022 nga tashmë e ndjera, L.Q. e më pas rastin “Vrasje e rëndë”, i raportuar më 05.01.2022, i ndodhur në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Mbrëmjen e së mërkurës të 5 janarit, në fshatin Llaushë të Skenderajt kishte ndodhur një vrasje e rëndë, përcjell Shqip.com.

Bashkëshorti, S.Q, 51-vjeçar kishte shtënë me armë zjarri ndaj gruaj së tij, L.Q 48-vjeçare dhe si pasojë e plagëve të marra ka vdekur rrugës për në spital.

Katër ditë para ngjarjes tragjike, në polici, tashmë e ndjera kishte raportuar një mosmarrëveshje që kishte me bashkëshortin.

“Policia e Kosovës, përmes linjës emergjente në Mitrovicë Jugore, më 01.01.2022 kishte pranuar informacion se në një familje në fshatin Llaushë kishte ndodhur një mosmarrëveshje familjare dhe duke u bazuar në informatën e pranuar, menjëherë ka angazhuar zyrtarët policorë të Skenderajt, të cilët i janë përgjigjur rastit”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se viktima kishte deklaruar se bashkëshorti nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, e po ashtu se nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune te viktima.

“Edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skenderaj. Me të arritur palët në stacion policor, me rastin ka filluar të merret hetuesi primar i dhunës në familje në kuadër të stacionit e cila: Kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Pune Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia e Kosovës

Më tej, deklarojnë se është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila ka kërkuar që lënda t’i dërgohet në mënyrë elektronike, pasi sipas saj, mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista.

“Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila kishte kërkuar që lënda të dërgohet në formë elektronike tek e njëjta, pasi e njëjta ka sqaruar se mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista, përjashtuar në disa raste të caktuara, por lëndën hetuesit ua përcjellin në formë elektronike, përveç nëse prokurori udhëzon ndryshe”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas policisë, hetuesja e dhunës në familje kishte inkurajuar ankuesen që të shkojë për kontrolle mjekësore, por e njëjta nuk kishte pranuar.

“Po ashtu hetuesja e dhunës ne familje kishte inkurajuar ankuesen/viktimën që të shkojnë për kontrolle mjekësore por e njëjta nuk kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike”, thotë policia.

Ankueses, iu kishte prezantuar mundësia për të ia siguruar urdhrin mbrojtës dhe për t’u strehuar në strehimore, por djali i saj kishte insistuar që nëna të kthehet në shtëpi, e të mos shkojë as te familja e saj, pasi ai do të kujdeset që prindërit të mos kenë probleme në mes vete.

“Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhrin mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur ti dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndroj në familje e jo të dërgohet në strehimore”, ka njoftuar policia.

Atë ditë, policia ka intervistuar edhe djalin e saj, në cilësi të dëshmitarit.

“Sipas procedurave të parapara ligjore është kontaktuar prokurori kujdestar, ku sipas udhëzimeve të prokurores kujdestare ishte vendosur që rasti të kualifikohet “Dhunë ne Familje” dhe të procedohet në procedurë të rregullt. Përveç deklaratës se viktimës, në cilësi të të dyshuarit është intervistuar bashkëshorti i viktimës si dhe djali i tyre në cilësi të dëshmitarit; Vlen të potencohet se viktima është pajisur me pakon informuese të viktimës”, ka bërë të ditur policia.

Ndërsa, më 5 janar, nga Policia deklarojnë se kanë pranuar informatën se ka ndodhur një vrasje në Llaushë të Skenderajt, të cilin e cilësojnë si “Vrasje e Rënd””.

“Ndërsa me datë 05.01.2022 ka ndodhur rasti i cilësuar “Vrasje e Rëndë”, ku Policia e Kosovës po ashtu ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

“Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, ka deklaruar policia./Shqip.com