“Policia të analizojë edhe historitë e familjarëve të viktimave nga vrasja në Gllogjan”

Rrethanat e hetimit të rastit të Gllogjanit, sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, janë të ndërlikuara, për këtë arsye ka propozuar që hetuesit policorë duhet të analizojnë edhe historitë e familjarëve të viktimave.
Për këtë Qalaj, në një prononcim për Shqip.com, tha se ky rast është i komplikuar, prandaj edhe organeve iu duhet kohë pasi që duhet hetuar disa pista.
“Unë e shoh si rast mjaft të komplikuar, sepse kërkon kohë. Besoj që hetuesit janë duke bërë më të mirën të mundshme, mos të harrojmë se ata duhet të mendojnë shumë gjëra, duhet të mbledhin edhe dëshmitë nëse ka dëshmi të përfshira dhe se deri te të gjtha ato, besoj që kanë mbërri”, tha ai.
“Mirëpo, në anën tjetër edhe duhet të bëjë analiza të viktimave, respektivisht të historisë familjarë të tyre derisa të vijnë në ndonjë fakt që do të shërbente për ta kapur kryesin apo kryesit e mundshëm të këtij rasti”, shtoi Qalaj.
Tetë ditë më parë ka ndodhur vrasja në Gllogjan të Deçanit, ku një person ka shtënë me armë zjarri ndaj një autobusi, duke qëlluar për vdekje tre persona – shoferin dhe dy nxënës. Deri më tash, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të arrestojë ndonjë person të dyshuar lidhur me këtë rast.

Pas kësaj tragjedie në opinionin publik janë rritur zërat që kërkojnë nga institucionet që keqbërësi i së premtes në Gllogjan të arrestohet e ta marrë dënimin.
Mbi këtë Qalaj thotë se presioni publik është një ngarkesë për policët.
Ka shtuar se policët duhet të punojnë pa presion, pasi sipas tij policia kapacitet ka.
“Po unë mendoj që ka kapacitet, mirëpo po e shoh që është një presion publik që ky rast të zbulohet sa më shprejt, por, mendimi im si ish-zyrtar i Policisë së Kosovës është se atyre iu duhet kohë që të punojnë ngadalë, pa presion në mënyrë që t’i gjejnë dhe t’i argumentojnë të gjitha faktet”, pohoi ai.
Përpos ish-drejtorit të Policisë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se Policia e Kosovës e ka kapacitetin e nevojshëm për zbardhjen e rastit.

Por, tregon se reshjet atmosferike të 26 nëntorit kur edhe ndodhi vrasja, megjithatë e vështirësojnë procesin hetimor.
“Po mendoj që Policia ka kapacitete por realisht rasti është i ndërlikuar se ka ndodhur në një kohë të natës, personi ka qenë i maskuar dhe procedurat e hetuesisë në mënyrë të ndryshme ka qenë i pamundur për shkak edhe të reshjeve atmosferike edhe për shkak të kohës së natës”, deklaroi Ibishi për Shqip.com.
Po ashtu, Qalaj foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit të institucioneve me ato ndërkombëtare, duke thënë se kjo mund të bëhet vetëm nëse kërkohet për ndonjë ekspertizë ose analizë të ndonjë fakti.
“Unë nuk mendoj që duhet kërkuar, e di që ish-kolegët e mi kanë kapacitete të mjaftueshme, edhe vullnet dhe dëshirë për zbulimin e këtij rasti. Mirëpo, ndihma ndërkombëtare ndoshta duhet vetëm nëse ka ndonjë element, nëse duhet bërë ndonjë analizë që ndoshta nuk ka këtu, përndryshe në personel nuk ka nevojë”, shtoi ai.
Megjithëse Policia kapacitet i ka, Ibishi shton se edhe ndihma ndërkombëtare mund të jetë e nevojshme.
“Po, mundet të kërkojë ndihmë në rast se ndodh kur duhet një sistem, kur ata duhet të bëjnë ndonjë gjurmë apo ekspertizë”.
“Por, sa i përket aspekteve tjera hetimore, p.sh., të operativës e çështjeve tjera, nuk është diçka e nevojshme në atë drejtim. Unë mendoj se rasti mund të zbulohet dhe besoj që do të zbulohet”, shtoi ai.
Me këtë ngjarje tragjike po merret direkt Prokuroria e Shtetit.
Shqip.com ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë e Shtetit. Përgjigje nuk ka pasur.
Çka ndodhi në Gllogjan
Vrasja në Gllogjan të Deçanit ka ndodhur mbrëmjen e 26 nëntorit, ku një autobus me nxënës që po qarkullonte nga Gjakova, u sulmua nga një person i maskuar, që përveç tri viktimave- një tjetër mbeti i lënduar.

Një ditë pas vrasjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë ultimatum kryesit të kësaj vepre që të dorëzohet para organeve të drejtësisë.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, deklaroi se dyshohet që vrasja është kryer nga një person, i cili nuk është identifikuar ende por ka mundësi që është ndihmar nga persona të tjerë.
Kurse, prokurorja e këtij rasti, Saide Gashi, i ka cilësuar hetimet si “jo të lehta”, duke shtuar se kanë siguruar disa informacione dhe që janë duke i gjurmuar për t’i vërtetuar ato.
Pas vrasjes së tre personave, kanë reaguar edhe ambasadat që janë në Kosovë si dhe partitë politike nga vendi e rajoni.
Viktimat e kësaj vrasjeje janë varrosur të dielën, më 28 nëntor, në varrezat e fshatit Gllogjan./SHQIP.com