Lajme

Policia kufitare sekuestron 3 mijë kg mish me prejardhje nga Brazili

Policia kufitare parandalon një rast kontrabande dhe sekuestron 3 mijë kg mish me prejardhje nga Brazili

3 mijë kilogramë mish i kuq me prejardhje nga Brazili është konfiskuar këtë të shtunë nga Policia e Kosovës në fshatin Kabash të Vitisë.

Konfiskimi i mishit është bërë pas kontrollimit nga autoritetet policore të automjetit kombi, i cili ishte pa targa, pasi i njëjti kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale nga territori i Maqedonisë.

“Patrullat e Policisë Kufitare të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit- Zhegër, kanë intensifikuar patrullimet dhe aktivitetet patrulluese e hetimore me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Si rezultat i angazhimeve policore, më 19.02.2022, rreth orës 12:30, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa, i drejtuar nga një mashkull kosovar i cili përmes rrugëve ilegale kishte hy në vendin tonë nga territori i Maqedonisë”.

“Autoritetet policore kufitare edhe përkundër tentativës së drejtuesit të automjetit për t’iu shmangur ndalimit policor, kanë arritur ta ndalojnë në fshatin Kabash të Vitisë. Gjatë kontrollit në automjetit është gjetur mall i kontrabanduar, 108 pako me gjithsej 3.000 (tre mijë) kilogram mish i kuq me prejardhje nga Brazili”.

Rasti bëhet e ditur se është trajtuar nga patrulla e Policisë Kufitare dhe Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare Lindje.

“Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganave të Kosovës”./SHQIP.com