Policia e Kosovës në aksion, kap 57 dele dhe 6 lopë ‘pa letra’

Policia kufitare e Kosovës në aksion kundër kontrabandës ka parandaluar dy raste të tentativës për kontrabandë me kafshë.
Rasti i parë është kapur në komunën e Vitisë, konkretisht në fshatin Ramijan, ku janë kapur 57 krerë dele pa dokumentacione.
“Si rezultat i kësaj, në rastin e parë sot me datë 06.07.2022, rreth orës 17:10 në fshatin Ramijan komuna e Vitisë, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohet automjeti kamionin e Mercedes Benz me targa kosovare të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (H. K), viti i lindjes 1971.
Gjatë kontrollit zyrtaret policor kanë vërejtur se i dyshuari në rimorkio kishte të ngarkuar pesëdhjetë e shtatë (57) krerë dele për të cilat nuk posedonte kurrfarë dokumenti përkatës”, thuhet në njoftim nga PK-ja.

Rasti i dytë po në të njëjtën komunë, ku një personi I janë gjetur të ngarkuara në rimorki 6 krerë me gjedhe.
“Në rastin e dytë, po ashtu sot rreth orës 17:45 në rrugën Viti-Pozhoran, komuna e Vitisë, është arritur të identifikohet automjeti kamionin e Mitsubish me targa kosovare të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M. B), viti i lindjes 1974.

Gjatë kontrollit zyrtarët policor kanë vërejtur se i dyshuari në rimorkio kishte të ngarkuar gjashtë (6) krerë gjedhe (lopë) për të cilat nuk posedonte dokumente përkatëse”.
Kafshët dyshohet të jenë futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë se veriut.
Këto raste janë në proces të trajtimit nga njësitet policore kufitare nga drejtoria rajonale kufitare-Lindje në bashkëpunim me Prokurorinë përkatëse, Inspektorët e AVUK-ut dhe Doganën e Kosovës./SHQIP.com