Lajme

Policia dhe BKH aksion blic në Elbasan për kapjen e Suel Çelës – Kush është i shumëkërkuari që i shpëton operacioneve të bluve

Forca të shumta të policisë të asistuara nga agjentët e BKH kanë kryer një aksion paraditen e kësaj të marte, për kapjen e personit në kërkim për porosi vrasjeje, Suel Çela.

Forca e policisë kanë zbarkuar në tregun agroushqimor dhe në shtëpinë e këtiij të fundit për kontrolle.

Ende nuk dihet nëse Çela është gjetur apo arrestuar, pasi policia është e rezervuar në dhënien e informacionit.

Kush është Suel Çela
Suel Çela kërkohet prej disa vitesh si person i dyshuar i perfshirë në ngjarje kriminale. Suel Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj i është drejtuar me kërkesë gjykatës së Posaçme ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg me një masë më të lehtë sigurie.

Prej majit të vitit të kaluar, Çela u shpall në kërkim pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Sipas SPAK, Çela ka porositur vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha pranë liqenit artificial. Gjithashtu, SPAK dyshon se ai ka porositur edhe vrasjen e Elton Kilës.

Atentati ndaj administratorit Lulzim Masha ndodhi më 18 janar 2022. Fatmirësisht, Masha shpëtoi pa u kapur nga plumbat.

/Shqip.com