Pllana: Delegacioni i Kosovës më telefonunan nga Brukseli, më pyetën se çka shkruan në libër

Nysret Pllana, autori i librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, ka thënë se delegacioni i Kosovës në dialog me Serbinë e kanë telefonuar për ta pyetur lidhur me librin që e ka shkruar, përcjell Shqip.com.
Kjo, për arsye se përmbajtja e këtij libri është diskutuar në takimin e fundit në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.
“Delegacioni shqiptar duhet të jetë më i përgatitur, ata më thirrshin pardje nga Brukseli se çfarë shkruan në atë faqe, çfarë në atë faqe, merre me mend çfaër papërgjegjësie. Profesor po shkruan fusnota, Arkivi i UÇK-së. Serbia po thirren për një fusnotë në librin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Ky libër është vet arkivi i UÇK-së, ky libër e vërteton gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur e hap librin për lexim shkruan se ky libër është përgatitur në Arkivin Shtetëror të Kosovës përkatësisht grumbullimin e fakteve në sektor të Arkivit për UÇK-në, sepse s’ka pasë arkiv Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe këtu s’ka asnjë keqkuptim. Arkivat duhet të nxirren nga Serbia pushtuese, ata i posedojnë arkivat”, tha Pllana në T7.
Tutje, Pllana ka vazhduar me Kritika ndaj kreut të delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, lidhur me deklaratën e tij se janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore të Serbisë dhe Kosovës lidhur me UÇK-në.
“Besnik Bislimi ia ka fut kot kësaj radhe, ka shkuar i painformuar, kanë qenë 7 zona të UÇK-së, secila e ka pasë nga një reporter, ata reportera i kanë dërgu informacionet në Radio Kosova e Lirë dhe agjencinë e lajmeve KosovaPress. Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress posedon të gjitha materialet e krimeve serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka shtuar ai.
Ndryshe, të enjten, kryenegociatori i delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me UÇK-në./Shqip.com