Plenkoviq nesër në Kosovë, takohet me Kurtin e Osmanin

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të hënën do të vijë në Kosovë për vizitë zyrtare, ku do të takohet me lidershipin shtetëror, do të vizitojë kroatët në Janjevë, bazën e KFOR-it dhe pjesëtarët e kontingjentit kroat, njoftoi qeveria kroate të dielën.
Kryeministri do të pritet nga homologu i tij kosovar, Albin Kurti. Është planifikuar një takim i dy kryeministrave, delegacioneve të tyre dhe biznesmenëve, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë Kroate, Ericsson Nikola Tesla dhe Konçar Elektroindustrija, shkruajnë mediat kroate, transmeton Shqip.com.
Më pas Plenkoviq do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit do të dorëzojë medaljen presidenciale “Shën Tereza” për Plenkoviqin dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Josip Bençeviq” në Slavonski Brod, Josip Samarxhiq.
Më pas, kryeministri kroat do të pritet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në pjesën e dytë të vizitës, do të takohet me kroatët në Janjevë dhe do të vizitojë kishën e Shën Nikollës.
Vizita zyrtare në Kosovë do të përfundojë me vizitë në bazën e KFOR-it dhe një takim me pjesëtarët e kontingjentit kroat./SHQIP.com