Lajme

Petkoviq thotë se një serb u plagos në incidentin me policinë në Leposaviq

Zyrtarët serbë kanë reaguar pas përplasjes mes një automjeti civil në të cilin ishin dy serbë dhe një automjeti të Policisë së Kosovës në Leposaviq.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.

Sipas mediave serbe, Petkoviq ka thënë se personi me inicialet M.D, u plagos në pjesën e majtë të krahërorit ku dhe urgjentisht u dërgua për trajtim në spitalin e Kralevës.

Sipas Petkoviqit, në veturë ishin dy persona, por që tjetri shpëtoi pa lëndime.

Sipas deklaratës së Policisë së Kosovës, në këtë incident është rrezikuar jeta e zyrtarëve policor.

Lexo edhe:
Një veturë godet atë të policisë në Leposaviç, rrezikohet jeta e zyrtarëve

“Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës. Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Thuhet se personat e dyshuar janë larguar se bashku me mjetin.

“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Tutje, potencohet se lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.

/Shqip.com