Lajme

Një veturë godet atë të policisë në Leposaviç, rrezikohet jeta e zyrtarëve

Policia e Kosovës/Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës iu është rrezikuar jeta disa zyrtarëve policor pasi një veturë civile ka goditur veturën zyrtare në Leposaviq.

Siç thuhet në njoftimin e PK-së, për neutralizimin e situatës është shtënë edhe me armë zjarri nga ana e zyrtarëve policor.

“Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës. Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Thuhet se personat e dyshuar janë larguar se bashku me mjetin.

“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Tutje, potencohet se lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.

/Shqip.com