Lajme Ballkan

Petkoviq: Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes për targa është largimi i Njësisë Speciale nga veriu

Drejtori i së ashtuquajturës "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, është shprehur se për ta pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes për targat është tërheqja e Njësisë Speciale dhe dërgimi i forcave të KFOR-it, transmeton Shqip.com.

Tutje, ai tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në Bruksel është e një rëndësie të veçantë për Serbinë.

Marrëveshja e Brukselit për targat.

“Më e rëndësishmja për njerëzit tanë nga kjo marrëveshje është largimi i Njësive Speciale dhe dërgimi i KFOR-it me anë të së cilës fuqizohet Rezoluta 1244”, ka thënë Petkoviq, raporton RTS.

Petkoviq tha se sipas marrëveshjes, serbët nuk do të heqin targat e tyre “KM” në pjesën veriore.

Lexo edhe:
Lajçak: Kemi marrëveshje në Bruksel

“Gjëja më e rëndësishme që njerëzit tanë morën me këtë marrëveshje është që Rosa të largohet, KFOR vjen, e cila forcon Rezolutën 1244, nuk ka heqje të pllakave dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit tanë që kanë targa KM është se ato nuk do të hiqen , e cila është e rëndësishme për lirinë e lëvizjes”, tha Petkoviq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë thotë se është e rëndësishme që të arrijmë zgjidhje në dialog dhe të shkojmë hap pas hapi në gjetjen e zgjidhjeve, dhe kjo është ajo që i shërben dialogu.

“Ne matëm çdo fjalë dhe është e rëndësishme që të kemi një marrëveshje të mirë,” tha Petar Petkoviq për RTS.

Ndryshe, mesditën e së enjtes, Lajçak tha se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur një marrëveshje për targat e veturave.

Lexo edhe:
Von der Leyen: E mirëpres marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat, dialogu të vazhdojë

Në një postim në Twitter, Lajçak theksoi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja për deeskalimin e situatës, teksa ka falënderuar dy kryenegociatorët për gatishmërinë e treguar.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Lexo edhe:
“Specialët i dërgojmë prapë në Veri, sa herë që ka nevojë”

Çitaku-Lajçakut: Marrëveshja për targat i barazon forcat policore me huliganët serbë që vendosin barrikada

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Njësia Speciale në Veriun e Kosovës

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën show”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Lexo edhe:
Çitaku-Lajçakut: Marrëveshja për targat i barazon forcat policore me huliganët serbë që vendosin barrikada

Petkoviq pas marrëveshjes për targa: Sot fillon epoka e përmbushjes së marrëveshjeve të Brukselit

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Baneri “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe” në Jarinje

Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri. Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht./SHQIP.com