Lajme

Petkoviq: Nervozizëm i madh në bisedime

Petar Petkoviq, drejtor i zyrës serbe për Kosovën
Petar Petkoviq, drejtor i zyrës serbe për Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në takimin e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “po thyhen shtiza” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke folur nga Brukseli për Televizionin Pink të Serbisë, Petkoviq tha se Kurti “po përpiqet në çdo mënyrë ta shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit”, ndërsa Vuçiq “insiston pikërisht në të”.

“Kemi manovrime të Albin Kurtit dhe, në anën tjetër, presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton për Marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit. Për këtë po thyhen shtiza dhe ka një nervozizëm të madh. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të ditës”, tha Petkoviq,

I pyetur nëse do të nënshkruhet ndonjë gjë sonte në Bruksel, ku po diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petkoviq tha se sot “nuk është kurrfarë dite D”, raporton REL.

Theksojmë se takimi tre palësh midis Kurtit, Vuçiqit dhe zyrtarëve evropianë po vazhdon ende.

/Shqip.com