Lajme

Petkoviq i ankohet ambasadorit gjerman në Serbi për Qeverinë e Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është takuar me ambasadorin gjerman në Serbi, Thomas Schieb, në të cilin takim u diskutuan çështjet të cilat kanë të bëjnë me Kosovën.

Petkoviq është shprehur i brengosur ngase ai është duke e parë që Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe me 3 prill në territorin e Kosovës.  

Ai ka kërcënuar se në rast se nuk lejohen të mbahen zgjedhjet atëherë do të ketë pasoja duke bërë përgjegjës edhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Përgjegjësia bie mbi komunitetin ndërkombëtar nëse ndaj Prishtinës nuk bëhet trysni. Nëse ata nuk lejojnë votimin me 3 prill atëherë kjo do të ketë pasoja dhe do të vë në pikëpyetje përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e situatës”, ka thënë ai.

Është ankuar tek diplomati gjerman se në Kosovë ka rritje të dhunës ndaj komunitetit serb  ku ndikim të madh kanë dhënë edhe mesazhet politike nga Qeveria e Kosovës.

Petkoviq në fund të takimit shpreson se ata do të vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët gjerman për gjetjen e një zgjidhje për problemet në regjion. /Shqip.com