Lajme

Përplasje virtuale mes Hykmete Bajramit dhe Imer Mushkolajt

Hykmete Bajrami dhe Imer Mushkolaj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami është përplasur me analistin, Imer Mushkolaj.

Gjithçka nisi, pasi Bajrami i sugjeroi Qeverisë që të kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët për  zbardhjen e vrasjes në Gllogjan të Deçanit.

“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, pohoi ajo.

Por, Imer Mushkolaj iu drejtua duke i thënë se “gjatë kohës sa ka qenë ministre janë vjedhur 2.1 milionë euro në ministrinë që ajo e ka drejtuar”, pra Ministrinë e Financave.

“Me pasë qenë në vend të kësaj zonjës gojën s’e kisha çelë. Hiç. 2 milionë euro janë vjedhë nga Thesari në kohën e saj ministre. Tash mban ligjëratë, por krimi i 2 milionëve nuk është zbardhur”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Pas kësaj, pasoi reagimi nga Bajrami, duke i thënë Mushkolajt se prokuroria ka lëvizur në këtë drejtim.

“Me pasë qenë në vendin tuaj isha informu se çka ka ndodh me rastin e 2.1 milionë euro. Isha informu se ka aktakuzë për këtë rast, ka nisë gjykimi dhe të akuzuarit janë në paraburgim. Gjithçka po zbardhet dhe dihet çdo cent se ku ka shku. Drejtësia po e kryen punën e saj”, ishte përgjigja e Bajramit.

Por, Mushkolaj ia ktheu se “e di shumë mirë çka ka ndodhur në atë skandal”.

Megjithatë e shtroi çështjen te vrasjet, specifikisht në vrasje te pasluftës.

“Sa për vrasjet në Kosovë, që nga përfundimi i luftës deri tash, jam ndër ata që vazhdimisht, publikisht jam angazhuar për zbardhjen e tyre. Për fat të keq, ato vrasje dikush i ka përdorur edhe për fushata elektorale. Besoj e dini për kë e kam fjalën”, ka vazhduar Mushkolaj.

Të premten, një person sulmoi autobusin në Gllogjan – la të vdekur tre persona.

Prej tyre dy nxënës, ndërkaq u vra edhe shoferi i autobusit.

Të dielën trupat e tyre janë varrosur.

Institucionet e vendit kanë premtuar drejtësi – por ende asgjë nuk është zbardhur.

Për këtë, shteti do të ndajë 20 mijë euro për informatën që çon në arrestimin e vrasësit. /Shqip.com