Lajme

Përplasje e akuza mes Albulena Haxhiut e Blerta Deliut për punësimet familjare

Deputetja Blerta Deliu dhe ministrja Albulena Haxhiu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu është përplasur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e Kuvendit të së premtes.

Duke folur për punësimet familjare, Haxhiu ka pyetur Deliun lidhur me punësimin e motrës së saj në Prokurorim të Kuvendit dhe vëllait në Radio Televizionin e Kosovës.

“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit ose vëllain në RTK, ose me ua përmend që dhëndrri juaj është arrestuar në OSHP”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se ka argumente të mjaftueshme edhe për diskutime të tilla, derisa i ka ftuar deputetët e PDK-së për debate konstruktive.

Në anën tjetër, deputetja Deliu ka thënë se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, është shprehur ajo.

Pas këtyre akuzave të Deliut, fjalën e ka marrë sërish Haxhiu, e cila ka thënë se rasti për të cilin ka folur deputetja Deliu është rasti “Kumanova”.

“Nëse Blerta Deliu e din si ka ndodh ky rast le t’i tregojë institucioneve të drejtësisë sepse është enigmë si ka ndodh ky rast, presim që të kemi informacione”./SHQIP.com