Kulturë

Përkujtohet Ernest Koliqi në ditën e lindjes

Ernest Koliqi, brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist
Ernest Koliqi, brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist

Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër shkrimtari, përkthyesi, gazetari, mësuesi e botuesi Ernest Koliqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot këtë erudit i cili ia kushtoi jetën e tij kryesisht letërsisë, por nuk i mungoi as skenës politike. Pas pushtimit nga Italia, Koliqi u emërua ministër i Arsimit dhe më vonë kryetar i Këshillit Koorporativ Fashist. Përtej kritikave për rolin e tij  në politikë, veprat si “Hija e maleve”, “Tregtarë flamujsh” dhe “Pasqyrat e narcizit”, janë ato që e vendosin në piedestal të letërsisë.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet `60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe. /atsh

/Shqip.com