Përfundon dëshminë dëshmitari i pestë në gjykimin e Pjetër Shalës

Dëshmitari i pestë në procesin gjyqësor të Pjetër Shalës ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai në këtë seancë i sqaroi disa deklarata të veta, pas pyetjeve të gjyqtarëve. Dëshmitari i pestë në rastin e Pjetër Shalës deklaroi se në ndërtesën e fabrikës së metalit në Kukës, silleshin njerëz, sipas tij, si të dyshuar se punonin për serbët.
Kur u pyet nga gjykatësja nëse personat i kishin duart e lidhura, dëshmitari tha se nuk ishte shumë i sigurt për këtë gjë.
Ai deklaroi se kishte mundësi që personat që silleshin aty, i kishin duart e lidhura.
“Me makinë që i kanë sjellë është mundësia që i kanë pasur të lidhura, por aty te ndërtesa numër një nuk i kanë pasur të lidhura… Ndoshta i kanë pasur të lidhura se nuk i sillnin menjëherë këtu, se njëherë i dërgonin në zyrë të komandantit”, u shpreh dëshmitari i pestë.
Në pyetjen se çfarë prejardhjeje kishin të dyshuarit që dërgoheshin në ndërtesën numër 1, dëshmitari tha se shumica nga ta ishin shqiptarë, por se kishte edhe romë.
I pyetur se çka mendonte të thoshte me deklaratën e dhënë dje se në ndërtesën numër 1 kushtet e përgjithshme ishin të këqija, dëshmitari tha se mendonte për kushtet e dobëta të ushqimit.
Tani në këtë seancë, pas pauzës, do të vazhdojë deklaratën dëshmitari i gjashtë në rastin e Pjetër Shalës.
/Shqip.com