Përfundon bastisja në banesën e Behramajt, avokati i tij thotë se s’ka urdhër-arrest

Para pak çastesh ka përfunduar bastisja e ekipeve të EULEX-it në banesën e Adil Behramaj, këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, aksion ky që kishte nisur rreth orës 08:30 në mëngjes.
Në një prononcim për media, avokati i tij, Artan Qerkini ka thënë se bastisja në shtëpinë e Behramajt është bërë me një arsyetim se po hetohet lidhur me dyshimin për një vepër penale e cila sipas tyre, hyn në juridiksionin e Speciales.
Ai tha se nuk specifikohet se për çfarë vepre penale bëhet fjalë.
Qerkini ka qartësuar se nuk ka urdhër-arrest për klientin e tij.
“Mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij. Mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese, mirëpo në këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural”, ka thënë Qerkini.
/Shqip.com