Përdorimi i transportit publik dhe privat nuk do të mundësohet për të pavaksinuarit

Nga nesër nuk mund të udhëtohet me autobus publik dhe privat pa qenë i/e vaksinuar.
Por, nëse qytetarët janë të vaksinuar vetëm me dozën e parë atëherë do të iu kërkohet dëshmi si testi PCR apo vërtetimi që e kanë kaluar Coronavirusin.
Këtë e ka thënë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifaj, të dielën në një konferencë për media bashkë me kryeministrin, Albin Kurtin.
Latifaj ka treguar për rikthimin e punës në qendrat e vaksinimit edhe gjatë vikendit.

“Nga sot do të rikthejmë mundësinë e vaksimit edhe gjatë ditëve të vikendit, nëpër të gjitha qendrat statike dhe pikat mobile të vaksinimit, do të intensifikojmë fushatën me thirrjen për vaksinim dhe do të punojnë të inkurajojmë më tutje për vaksinimin dhe nxisim individët dhe grupet që ende nuk janë vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më shpejtë”, u shpreh ministri”, ka deklaruar ai.
Përkundër se në Kosovë ka pak infeksione ditëve të fundit, megjithatë rreziku nga variant omicron ekziston.
“Sipas raporteve të IKSHPK-së situata vazhdon të jetë ende në rrezik, për shkak se në vende të tjera të Evropës po rritet numri i rasteve me COVID-19, ndërsa në disa janë identifikuar edhe raste me variantin e ri “Omicron”, u shpreh ai.
Po ashtu ka përmendur edhe masat e reja që do të hynë në fuqi.
Masat e reja:
Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë çetifikatën e vaksinimit të plotë, kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj duhet të kërkohet testi PCR negativ, ose dëshmia se personi e ka kaluar COVID-19.
Nga 3 janari i vitit 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë.
Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve për vaksinim në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.
Tani që ka filluar vaksinimi edhe i qytetareve mbi moshën 12 vjeçare e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartëpërmendura, mes kategorive do të lirohen personat nën 12 vjeç, personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencore të vërtetuar për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, si dhe disa kategori të tjera.
Udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat dhe atyre në qendra tregtare dhe gastronomi do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë apo i pjesshëm, mirëpo bashkë me të dëshmia e shërimit apo rezultatin negativ të PCR-së. /Shqip.com