Lajme

Për çka akuzohen ish-kryetari i Leposaviqit dhe të tjerët?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Për shkak të ndërrimit të përbërjes së trupit gjykues, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar rishtazi gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për korrupsion.

Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ndërrimi i trupit gjykues, u bë ashtu që në vend të anëtares gjykatëses Suzana Çerkini, tani anëtar i këtij trupi do të jetë gjykatësi Arben Hoti.

Ky ndryshim, sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani ka ardhur pasi që gjykatësja Çerkini gjendet në pushim mjekësor, si dhe e njëjta nga janari 2024 do të mbajë pozitën si kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Fushë-Kosovë.

Palët kishin mendimet të ndryshme rreth asaj që gjykimi të nis rishtazi dhe të konsiderohen të lexuara deklaratat e dhëna më parë nga dëshmitarët.

Prokurorja speciale Merita Bina-Rugova, u pajtua që gjykimi të nis rishtazi dhe propozoi që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitareve të dhëna më parë në shqyrtimet gjyqësore.

Ndërsa, nga ana e mbrojtjes pati dy qëndrime, disa nga ta u pajtuan që deklaratat të konsiderohen të lexuara, e disa të tjerë e kundërshtuan atë, duke kërkuar që të ftohen edhe një herë të gjithë dëshmitarët dhe të dëgjohen rishtazi.

Mirëpo, trupi gjykues mori vendim që të konsiderohen të lexuara deklaratat e të njëjtëve, me ç’rast mbrojtja pati edhe vërejtjet e tyre.

Meqenëse gjykimi filloi rishtazi, aktakuza u konsiderua e lexuar dhe të gjithë të akuzuarit patën qëndrimin e njëjtë sa i përket fajësisë, ashtu siç edhe ishin deklaruar në seancën fillestare si të pafajshëm.

Po ashtu, edhe prokurorja Bina-Rugova dhe të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë.

Paraprakisht, në këtë seancë ishte e planifikuar që të dëgjohen dëshmitarët Radosh Mihajlloviq, Fatos Zejnullahu dhe Marko Sibinoviq, por asnjë nga ta nuk ishte i pranishëm në këtë seancë.

Lidhur me dëshmitarin Mihajlloviq, gjykatësja Namani tha se gjykata i ka dërguar ftesë për këtë seancë, mirëpo deri më tani nuk ka fletëkthesë që i njëjti e ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, sa i përket dëshmitarit Sibinoviq, ajo tha se në bazë të raportit zyrtar nga stacioni policor në Leposaviq, policia të njëjtin e ka kërkuar në adresën e dhënë, mirëpo nga i ati i tij janë njoftuar se nuk gjendet në këtë adresë dhe se është larguar në Serbi.

Për mungesën e dëshmitarit Zejnullahu, gjykatësja Namani, bëri të ditur se në bazë të informatës të marrë nga stacioni policor në Mitrovicë, gjykata është njoftuar se vëllai i të njëjtit e ka njoftuar policinë se ai jeton dhe vepron në Belgjikë.

Për të njëjtit, prokurorja Bina-Rugova propozoi që të konsiderohen të lexuara deklaratat e tyre, por që në mënyrë unanime e ka kundërshtuar mbrojtja.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi tha se nuk pajtohen me propozimin e Prokurorisë dhe sipas tij më e mira kishte me qenë që Prokuroria të tërhiqet nga dëgjimi i këtyre dëshmitarëve.

“Sidomos edhe për shkak të faktit se Prokuroria e Shteti nuk e ka parë të arsyeshme që të sigurojë prezencë e mbrojtësve gjatë marrjes në pyetje të këtyre dëshmitarëve që të kenë mundësinë mbrojtësit që ta sfidojmë dëshmitarët, unë jo, po sa e di asnjë nga mbrojtësit tjerë, as që është ftuar në këto intervista”, tha Gashi.

Avokatin Gashi e kanë mbështetur të gjithë mbrojtësit e tjerë, por trupi gjykues vendosi që deklaratat e tyre të dhëna në polici të lexohen.

“Për arsye se gjykata vlerëson se janë bërë përpjekje të arsyeshme për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre si dëshmitarë në këtë çështje penale”, tha gjykatësja Namani.

Për këtë vendim, mbrojtja po ashtu pati vërejtje në kuptim të nenit 119, paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale, ku mbrojtësi i të akuzuarit Mehdi Haxhiu, avokati Xhafer Tahiri theksoi se në këtë shqyrtim gjyqësor nuk panë asnjë përpjekje të arsyeshme për të siguruar dëshminë e tyre përmes video-linqeve apo një formë tjetër.

Sa i përket, dëshmitarit Mihajlloviq, gjykatësja Namani tha se për të paraprakisht ka një raport mjekësor, i cili e konstaton gjendjen jo të mirë shëndetësore të tij.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Banoviq, avokati Arianit Koci tha se i njëjti është edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e të paktën ftesa t’i ishte dërguar edhe në Kuvend.

Po ashtu, edhe të akuzuarit Jabllanoviq dhe Aleksander Ackoviq, deklaruan se të njëjtin e kanë parë dhe se nuk është në gjendje të rëndë shëndetësore.

E lidhur me këto pretendime të palëve në procedurë për dëshmitarin Mihajlloviq, gjykatësja Namani tha se gjykata do të bëjë kërkese në stacionin policor në Leposaviq për verifikimin e gjendjes shëndetësore të të njëjtit. E në qoftë se mund të sigurohet prezenca e tij, ajo tha se gjykata do të revokojë vendimin e sotëm për leximin e deklaratës së tij .

Trupi gjykues, gjithashtu ka aprovuar propozimin e avokatit Gashi, për dëgjimin e dy dëshmitarëve të ri: Branka Shmikiq dhe Dragisha Llakiçeviq.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Musliu, avokatit Fisnik Sogojeva propozoi që të dëgjohet edhe ekspertit financiar, gjë për të cilin gjykata tha se do të vendos në shqyrtimet e ardhshme gjyqësore.

Seanca e planifikuar për nesër (14 dhjetor 2023) është anuluar.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

/Shqip.com