Lajme

Peci takohet me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, u diskutua për zgjerimin e marrëdhënieve në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci priti në takim Ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Përmes një njoftimit nga Ministria e Bujqësisë, Peci dhe Ziv kanë biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit dhe krijimit të mundësive me qëllim të zhvillimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë.

“Gjatë këtij takimi, Ministri po ashtu e njoftoi Ambasadoren më hollësisht për politikat e reja zhvillimore të këtij viti, në kuadër të të cilave ai theksoi se kanë zgjeruar masat përkrahëse për sektorin e bujqësisë, përmes të cilave synojnë zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori në vend”, thuhet në njoftim.

Peci e ka falënderuar ambasadoren Ziv për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës në sektor të ndryshëm, si dhe i ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e reja diplomatike e bilatarale.

Ministri shprehu vullnetin e tij që këto marrëdhënie t’i zgjerojnë edhe në sektorin e bujqësisë, përmes mundësisë së investimeve, studimeve e vizitave kërkimore./Shqip.com