PDK: Raporti i Progresit tregon ngecjen e shtetit në shumë fusha

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, në lidhje me Raportin e Progresit për Kosovën që u publikua para disa ditëve.
Për media foli shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra.
Tahiri tha se PDK-ja është e interesuar për progres në Kosovë, paçka se si opozitë nuk është se kanë shumë rol vendimarrës.
“Ne e duam progresin për vendin tonë, ne duam të japim kontributin për vendin tonë. Pra në linjë me të, si grup parlamentar i kemi dhënë përkrahje pothuajse prej 31 marrëveshjeve ndërkombëtare, 30 i kemi votuar, të gjitha këto marrëveshje i kemi votuar si opozitë”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa deputetja, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se në bazë të raportit, shihet se Kosova ka mungesë të progresit në shumicën prej fushave.
“Çka vërejmë në këtë raport të fundit, në shumicën e fushave ka pasë progres të limituar, dhe ne nuk kemi parë ritëm të mjaftueshëm nga kjo qeveri të angazhohet për të punuar në secilin sektor, nuk ka asnjë reformë të thellë që raporti e thekson në raportin e fundit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Sipas Deliut një fakt tjetër shqetësues që u shkrua në raport është edhe gjuha linçuese e përdorur ndaj gazetarëve.
Ndryshe me 12 tetor është prezantuar Raporti i Progresit për Kosovën, ku në shumë fusha Kosova ka bërë progres, por shqetësues mbetet sundimi i rendit dhe ligjit./SHQIP.com/
/Shqip.com