Lajme

PDK në Dragash: Ftojmë prokurorinë të fillojë hetimet për keqpërdorimet e votave nga diaspora

Partia Demokratike e Kosovës

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Dragash i ka bërë thirrje Prokurorisë të fillojë hetimet lidhur me “keqpërdorimet e votave nga diaspora”, përcjell Shqip.com.

Përmes një reagimi në Facebook, PDK në Dragash tha se janë të gatshëm t’i ofrojnë Prokurorisë të gjitha informatat që i posedojnë për këtë “krim ndaj demokracisë”.

Lexo edhe:
Vota e diasporës vendimtare – LDK e përmbysë PDK-në në Dragash

“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet sa më parë dhe ti jepet fund keqpërdorimeve me votat me postë. Jemi të gatshëm ti ofrojmë Prokurorisë gjithë informatat që i  posedojmë për këtë krim ndaj demokracisë. Askush nuk mund ta deformoj vullnetin e mijëra votuesve të Dragashit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, kjo Degë ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që zarfet me fletëvotime nga diaspora të mos përfshihen në rezultatet zgjedhore.

Sipas këtij subjekti politik, shumica e votave me postë të ardhura nga diaspora për Komunën e Dragashit janë të manipuluara, pasi që janë mbushur nga një dorë e vetme.

“Nga ajo që sot pamë në QNR nga vëzhguesit tanë, shumica e votave me postë që kanë ardhur për Komunën e Dragashit, janë vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme. Po ashtu, shihet qartë që zarfet janë të shënuara nga e njëjta dorë.

Nga ajo që u pa nga vëzhguesit por edhe nga mediat, u vërtetua informacioni që ka qarkulluar tash e disa ditë në Dragash, që  pronarët e një agjencie turistike kanë mbushur zarfet dhe i kanë  shpërndarë ato në 4 posta të ndryshme në Austri e Gjermani”, thuhet tutje në reagimin e tyre./SHQIP.com