Lajme

PDK kundër shtyerjes së zgjedhjeve lokale: Duhet të mbahen duke u respektuar masat

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës është kundër shtyerjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, për Shqip.com ka thënë se zgjedhjet nuk duhet të mbahen me tubime e grupime të njerëzve por duke respektuar masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, nuk jemi që zgjedhjet lokale të shtyhen. Ato duhet të mbahen në kohën kur janë planifikuar. Mirëpo, Zgjedhjet e Tetorit, nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale, me tubime e grupime të njerëzve, por duhet që në mënyrë strikte të respektohen masat dhe rekomandimet e IKShPK”, tha ai.

Sipas tij, nëse arsyetimi për shtyerjen e zgjedhjeve është mbrojtja e shëndetetit të qytetarëve, atëherë është e vështirë për t’i besuar kësaj mendësie, tashmë institucionale politike.

Abdullahu shton se me këto veprime tash e një kohë, Qeveria aktuale ka krijuar gjendjen alarmante dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Në anën tjetër, nëse arsyetimi për shtyrjen e zgjedhjeve është se me këtë mbrohet shëndeti i qytetarëve, gjë që është, atëherë është e vështirë, në të vërtetë krejt e pamundur, për t’i besuar kësaj mendësie, tashmë institucionale politike”, shtoi ndër tjerash ai.

Ideja e shtyrjes së zgjedhjeve erdhi pas një deklarate të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili tha se me këtë situatë të rënduar të pandemisë do të ishte për shtyrjen e zgjedhjeve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim nëse janë pro ose kundër shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të situatës pandemike./Shqip.com