Kulturë

“Pasi shkelë në dërrasat e skenës është një magji që te rrëmben, atëherë fillon magjia e rolit”

Skena e teatrit e ka shoqëruar plotë 46 vite.

Por, dashuria e madhe për rolin e profesionin ka bërë që të mos ndalet as pas pensionimit.

Aktorja e njohur Kumrije Hoxha, të dielën për nder të Ditës Botërore të Teatrit u vlerësua me Çmimin Kombëtar për vepër jetësore ne fushën e teatrit dhe filmit.

Hoxha për Shqip.com, tha se dëshira e saj ka qenë gjithmonë të jetë aktore dhe se profesioni i saj kërkon shumë dashuri e pasion.

“Me anë të  lojës së fjalës po edhe trupit jep shumë emocione, dashuri, urrejtje, hyn në shpirtrat e personazheve, karaktereve të ndryshme, ajo të jep një kënaqësi të paimagjinueshme”, ka shtuar Hoxha.

E gjithë kjo për aktoren sukses është kur me anë të shfaqjes përcjellët një mesazh i fortë te publiku.

Ndërkaq ajo ka përshkruar edhe emocionet e para kur futet në skenë, tash e 46 vite.

“Emocioni i parë është frika  te unë, po pasi shkelë në dërrasat e skenës është një magji që te rrëmben dhe atëherë fillon magjia e rolit”, tha ajo.

E si në çdo profesion tjetër Hoxha thotë se edhe në aktrim ka mjaft pakënaqësi e padrejtësi, por të gjitha këto tejkalohen kur pasioni për profesionin është më i madh se sa problemet që mund të shfaqen.

Tutje Hoxha, punën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e ka vlerësuar, si një punë të shkëlqyeshme.

“Në teatrin tonë bëhet një punë e shkëlqyer, po mendoj për anën artistike, sepse kemi aktorë të mrekullueshëm të nivelit botërorë, mund te them aktorët janë ambasadoret më të mirë të këtij populli, gjë që u vërtetua me filmat tanë qe i kaluan kufijtë. Si filmi Zgjoi edhe shumë filma tjerë”, është shprehur Hoxha.

Ajo tha se “çelësi i suksesit”, të çdokujt është padyshim dashuria për profesionin dhe puna.