Lajme Botë

Pas tarifave nga SHBA BE drejt tryezës së negociatave, Von der Leyen: Do negociojmë me Trump

Pas tarifave të Trump dhe reagimeve ndërkombëtare, si dhe “stuhisë” në bursat nga Azia në Nju Jork, duket se ka nisur pazari i madh i SHBA-ve me të prekurit drejtpërdrejt, si BE-ja.

Në deklaratat e saj sot pas një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po përgatitet të mbrojë interesat e saj me kundërmasa proporcionale ndaj tarifave të Trump dhe do të bashkëpunojë me partnerët e saj në këtë drejtim.

Presidentja e Komisionit shprehu shqetësimin e saj të thellë për tarifat dhe dëmin ekonomik që ato u shkaktojnë të gjitha vendeve, përfshirë edhe më të varfrit.

Duke pranuar se tarifat përfaqësojnë një pikë kthese të madhe për Shtetet e Bashkuara, ajo përsëriti angazhimin e BE-së për t’u përfshirë në negociatat me SHBA-në, duke bërë të qartë se BE është e gatshme të mbrojë interesat e tij nëse është e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, ajo shprehu vendosmërinë e saj për të punuar me partnerët për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri për ekonominë globale, duke pranuar se çdo partner tregtar do të veprojë sipas prioriteteve të veta.

Von der Leyen dhe Starmer diskutuan përgatitjet për samitin e ardhshëm BE-MB më 19 maj, i cili do të jetë një mundësi e madhe për të forcuar bashkëpunimin e BE-27 me Mbretërinë e Bashkuar në fusha kyçe si siguria, mbrojtja, tregtia dhe ekonomia.

Në një zhvillim paralel, më shumë se 50 vende kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur negociatat tregtare, tha sot për ABC News, Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-së.

Hassett mohoi gjithashtu se tarifat e Presidentit Trump janë një mënyrë indirekte për të bërë presion ndaj Rezervës Federale të SHBA për të ulur normat e interesit.

/Shqip.com