Teknologji

Pas shumë ankesave, Facebook rrit kualitetin e dërgimit të fotove

Facebook ka reaguar më në fund pas shumë ankesave të përdoruesve rreth kualitetit të fotografive që i dërgojnë përmes Messenger.

Kompania Meta që është pronare e rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se ka përmirësuar ndarjen e fotove përmes aplikacionit Messenger në cilësi HD, një formë gati se e njëjtë me mënyrën e dërgimit të fotografive përmes aplikacionit tjetër të njohur Whatsapp.

Në vitin 2017, Facebook prezantoi dërgimin e fotografive në rezolucion 4K (4,096 me 4,096 piksel për inç), por përfaqësuesja e ekipit të komunikimit të Messenger, Liz Sweeney, tha se imazhet ishin të ngjeshura në atë kohë dhe pamja e tyre “varej nga rrjeti dhe kushtet, si të dërguesit ashtu edhe të marrësit”.

Sweeney i tha portalit teknologjik The Verge se fotot nuk do të jenë më kaq të ngjeshura dhe përdoruesit do të kenë në dispozicion një komandë të re “HD”, e cila lejon ndarjen e imazheve në rezolucionin 4K.

Nëse përdoruesi nuk e prek komandën e përmendur përpara se të dërgojë imazhin, marrësi do ta marrë imazhin me rezolucion 2K.

Messenger gjithashtu do t’i lejojë përdoruesit të ndajnë skedarë deri në 100 megabajt (MB), nga kufiri i mëparshëm prej 25 MB.

Zgjerimi i kapacitetit do ta bëjë më të lehtë ndarjen e videove më të shkurtra përmes Messenger, pasi përdoruesit nuk do të duhet t’i ndajnë ato në pjesë më të vogla përpara se t’i dërgojnë.

Meta tha gjithashtu se po prezanton një veçori të re të ndarjes së albumeve që do t’i lejojë përdoruesit të mbledhin imazhe ose video nga ngjarje të përbashkëta si udhëtimet në grup.

/Shqip.com