Pas përplasjeve para Parlamentit, ambasada e SHBA reagon për herë të parë dhe iu thirrje qytetarëve të saj të “shmangin demonstratën”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për herë të parë për protestën qytetare që sot ka shënuar ditën e saj të 33-të.
Ambasada amerikane njofton qytetarët e saj këtë të enjte se në kryeqytetin shqiptar po vijojnë protestat e përnatshme përpara ndërtesës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.
Sipas njoftimit, tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe mund të shtrihen potencialisht edhe në qytete të tjera të vendit. Ambasada thekson se, megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.
Autoritetet paralajmërojnë se në zonat ku zhvillohen protestat mund të ketë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe vështirësi në qarkullim, veçanërisht në orët para dhe gjatë zhvillimit të tubimeve. Po ashtu, nuk përjashtohet zgjerimi i protestave në zona përreth, përfshirë institucione të tjera qeveritare.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë dhe publikut në përgjithësi që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm ndaj rrethinës, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.
Gjithashtu rekomandohet që qytetarët të kenë gjithmonë një plan emergjence ose daljeje dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjes në zonat ku mund të ketë grumbullime.
Kjo është hera që ambasada amerikane në Tiranë reagon për protestat qytetare në kryeqytet dhe thirrja e saj vjen pas përplasjeve të forta mes protestuesve dhe policisë që ndodhën sot para Kuvendit.
/Shqip.com