Pas Dritan Goxhajt arrestohet edhe Sabit Januzi/ Gjykata Speciale e akuzon për “pengim të drejtësisë”

Gjykata Speciale ka arrestuar një tjetër veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tre muaj pasi në Tiranë me urdhër të saj u prangos Dritan Goxhaj, ish-oficer i aviacionit shqiptar. Sabit Januzi është arrestuar një ditë më e parë, e enjte 5 tetor, dhe lajmi për prangosjen e tij është konfirmuar tanimë edhe nga avokati mbrojtës, Kushtrim Bytyqi. Ky i fundit ka theksuar se fillimisht prokurorët e kishin intervistuar Januzajn dhe 24 orë më pas i kanë komunikuar arrestimin. Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në muajin maj Januzit i ishte bastisur edhe shtëpia. Akuza ndaj tij mësohet se është e njëjta si ndaj Goxhajt, për pengim të drejtësisë. Sabit Januzi, njësoj si edhe veteranët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dërgohet në Hagë.
5 muaj hetime nga Specialja
Nën dyshimet për pengim të drejtësisë, Specialja ka zhvilluar hetime ndaj veteranit të UÇK-së për 5 muaj me radhë. Shtëpia e Sabit Januzit ishte kontrolluar nga prokurorët gjatë muajit maj, ndërsa në datën 4 tetor, ai ishte marrë në pyetje, ka treguar avokati i tij, Kushtrim Bytyqi.
“I njëjti dje është intervistuar, në zyrën e prokurorit të specializuar në Fushë Kosovë, ftesa i është dërguar të premten e kaluar, dhe është realizuar intervista, pas intervistimit e kanë lëshu në shtëpi, ndërkaq sot ka ndodhur arrestimi“, ka thënë avokati. Bytyqi ka treguar për akuzat që rëndojnë mbi Januzin sipas Speciales. “Paraprakisht diku në muajin maj, i njëjti është bastisur në shtëpinë e tij, dhe i është sekuestruar telefoni. I njëjti dyshohet për pengim, të drejtësisë, për njërën nga çështjet që është e hapur në dhomat e specializuara”, ka sqaruar ai.
Familjarët heshtin, reagojnë veteranët
Familjarë të Sabit Januzajt duke mos dashur të prononcohen kanë konfirmuar arrestimin. Ata kanë theksuar se e gjitha që dinë është se i arrestuari do të dërgohet në Gjykatën e Hagës gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj te premte. Të ashpër në reagimin e tyre kanë qenë organizatat e veteranëve të luftës. Enver Hajdari nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Drenas, ka thënë se ky arrestim nuk është më befasi për ta, dhe sipas tyre Gjykata veç po e shpërfaq racizmin dhe padrejtësinë e saj.
“Të japin me kuptu se janë të dirigjum prej Serbisë, duhet me qenë transparent, duhet me qenë të sinqertë, le t’i bëjnë seancat hapur të dihet kush ç’ka flet. Arrestimi i sotëm, t’jep me kuptu se asnjë veteran i UÇK-së nuk është i paprekshëm veç presim dikë sot, dikë nesër, dikë pasnesër. Arrestimi i Sabit Januzit, ai nuk ka ditë asgjë, janë shfaqë hetuesit e Dhomave të Specializuara, një deklaratë për pengim në drejtësi, na nuk jemi që i pengojmë, kushdo që ka marrë ftesë është paraqit”, ka thënë ai.
Arrestimi i Dritan Goxhajt në Tiranë
Në 31 korrik, Policia e Tiranës arrestoi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj. Arrestimi i tij u bë në mënyrë të menjëhershme dhe iu komunikua në gjykatë masa e “arrestit në burg”. Urdhrin për arrestimin e Goxhajt e kishte dhënë Gjykata Speciale dhe akuza ishte e njëjta si edhe për pjesën dërrmuese të të ndaluarve nga kjo gjykatë: për frikësim dhe pengim të personave zyrtarë të përfshirë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Gjykata Speciale ngriti akuzë ndaj Dritan Goxhajt për shkak të një artikulli në media nga ana e tij, për dëshmitarët e Hagës ku theksonte se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Carla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në. Sipas tij, shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada, pas këtij publikimi.
Dritan Goxhaj, nga Fieri, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me babain e tij, Dilaver Goxhaj në vitin 1999.
Përpara Dritan Goxhajt dhe Sabit Januzit, në Gjykatën e Hagës kanë shkuar edhe komandantët e luftës si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të cilët vijojnë të jenë në qeli.
/Shqip.com