Paralajmërohet shtrëngimi i masave anti-COVID’19 në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar se ditët në vazhdim do të ketë shtrëngim të disa masave anti-COVID’19, përcjell Shqip.com.
Latifi pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë tha se përkundër se në Kosovë situata pandemike është stabile, disa masa do të shtrëngohen.
“Patëm një takim konstruktiv, biseduam për të gjitha aspektet e menaxhimit të pandemisë. Vazhdojmë të konstatojmë se gjendja është stabile, ndoshta jemi në gjendjen më të mirë në Evropë, por edhe krahasuar me vendet tjera në botë.
Kjo nuk do të thotë assesi se duhet të çlirohemi e të lirojmë masat apo të mendojmë se COVID-i ka mbaruar. Kemi numër në rritje të rasteve, por është i vogël krahasuar me shtetet tjera në botë. Në ditët në vazhdim do të shtrëngohem disa masa më tepër”, ka thënë Latifi për KTV-në.
Ndërkaq, sa i përket përballjes me një valë të re infektimesh, Latifi tha se është e vështirë të parashikohet një gjë e tillë.
“Është shumë e mundshme se do të përballemi me një valë tjetër si gjitha vendet tjera. Një element inkurajues është se Omicroni nuk është aq i rrezikshëm i formë, krahasuar me format tjera të mëparshme. Pavarësisht kësaj, ne duhet të marrim gjitha masat që të kemi kujdes”, theksoi Latifi.
Ndryshe, të mërkurën në Kosovë janë regjistruar 107 raste të reja me Coronavirus./SHQIP.com