Lajme

Paralajmërohet se Ligji për Zyrtarë Publik do të dërgohet në Kushtetuese

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Ligji për Zyrtarë Publikë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës është kundërkushtetues dhe se partia e tij do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar në rrezimin e padiskutueshëm të tij.

Krasniqi para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, theksoi se misioni i Qeverisë së Kosovës është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshktrimi i tyre. E krejt kjo sipas tij përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Ai konsideron se Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar.

“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike”, ka thënë Krasniqi.

Lexo edhe:
Kalon Projektligji për Zyrtarët Publik

Krasniqi thotë se me këtë ligj, Qeveria e ka një qëllim.

“Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Krasniqi.

Kujtojmë se, sot ka kaluar në Kuvend, Projektligji për Zyrtarët Publik me të gjitha amendamentet e miratuara.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ky projektligj ka kaluar me 58 vota për, katër abstenime dhe asnjë kundër.

/Shqip.com