Lajme

Paradoksale: Todosijeviq humbi mandatin e asamblistit, por vazhdon të jetë deputet

Ish-Ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosjeviq

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci, thotë se është paradoksale se si Ivan Todosijeviq nga Lista Serbe ka humbur mandatin e anëtarit në Kuvendin Komunal të Zveçanit, por vazhdon të jetë zyrtarisht deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, një ‘paradoks’ i tillë po ndodh si rezultat i “mungesës së ndërveprimit institucional mes Kryetarit të Kuvendit, Presidentes dhe KQZ-së për zëvendësimin e tij”.

“Sipas kësaj logjike, nuk mund të jesh anëtar i kuvendit komunal kur je i dënuar, por si i tillë mund të jesh deputet në institucionin më të lartë vendimmarrës në vend”, ka shkruar Cakolli në profilin e tij në Facebook.

“Kjo është e papranueshme dhe, siç ka konstatuar më parë Gjykata Kushtetuese, sërish shpërfaqë të meta serioze në garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë parlamentare”.

Eugen Cakolli

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zzgjedhjeve gjatë ditës së martë ka vendosur që të zëvendësojë kandidatin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç i certifikuar si asamblist i zgjedhur për Kuvendin Komunal të Zveçanit me kandidatin tjetër nga Lista Serbe, Marko Stefanoviç, për arsyen se ky i pari është i dënuar për vepër penale./SHQIP.com