Lajme

Paraburgim për gruan që rrahu bashkëshortin e saj në Spitalin e Gjakovës

Gjykata Themelore në Gjakovë, ia ka caktuar masën e paraburgim prej një muaji gruas e cila ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortit të saj.

E pandehura V.N., dyshohet për veprat penale  “Lëndim i rëndë trupor”, dhe “Dhuna në familje”.

Pamjet e këtij rasti të enjten kanë qarkulluar në rrjetet sociale, ku shihej se si gruaja kishte goditur disa herë me shuplakë burrin, i cili nuk mund të ngrihej në këmbë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ka njoftuar se rasti ka ndodhur më 14 janar 2021, në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, në Gjakovë, pikërisht në repartin e neurologjisë, ku e pandehura me dashje i ka shkaktuar lëndime të rënda viktimës së ndjeshme, bashkëshortit të saj A.N.

“I dëmtuari përderisa ishte duke u trajtuar në spital, e pandehura e revoltuar se duhej të kujdeset për të, e sulmon fizikisht të dëmtuarin dhe e godet me shuplakë në regjionin e fytyrës,  e në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu nga kohë e pacaktuar e deri më 18 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët, e pandehura shkakton dhunë në familje, keqtrajtim fizik dhe psikik, të dëmtuarit, bashkëshortit të saj A.N, duke e ofenduar ne mënyrë të vazhdueshme, kanosur dhe duke e goditur fizikisht, ku tek i dëmtuari ka shkaktuar dhembje fizike dhe shqetësim të madh emocional”.

E pandehura,  me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 18 janar 2022./SHQIP.com