Lajme

Pamje nga shpërthimi i zjarrit në Tetovë, raportohet për së paku 15 viktima

Foto: Alsat

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer të mërkurën mbrëma në qendrën COVID-19 në Tetovë.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, derisa raportohet se në mesin e të vdekurve ka pacientë që po trajtoheshin për COVID-19 e po ashtu staf mjekësor.

Mediat vendore raportojnë se disa nga pacientët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kabineti qeveritar maqedonas, me në krye kryeministrin Zoran Zaev, tashmë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe janë duke vizituar tërë qendrën.

Pritet një deklarim i tyre për media pas përfundimit të vizitës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, lidhur me ngjarjen e rëndë.

Ai i ka shprehur ngushëllime kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë./SHQIP.com